Showing posts with label Money. Show all posts
Showing posts with label Money. Show all posts

Tuesday, November 5, 2013

Rritet eksporti prej 9.8%

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për muajin shtator të këtij viti, prej 185,5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 234,9 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2012. Kështu është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka publikuar “Statistikat e Tregtisë së Jashtme” për muajin shtator 2013.

Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin vetëm 11.8%.
Eksporti në muajin shtator 2013 kishte vlerën 24,8 milionë euro, ndërsa importi 210,4 milionë euro. Kjo tregon një rritje prej 9.8% për eksport, si dhe një rënie prej (-18.3%) për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 49.0% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.3% produktet minerale; 9.1% produktet bimore; 7.2% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.0% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 3.9% tekstili dhe artikuj e tij, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 19.3% të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.0% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.7% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.6% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.5% produktet e industrisë kimike; 6.3% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Partnerët kryesorë tregtarë, sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, në raport me totalin e muajit, janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 31.9% për eksport dhe 42.7% për import. Ndërsa, vendet e CEFTA-së marrin pjesë me 41.1% për eksport dhe 31.1% për import.

Përqindja më e madhe e eksportit ishte në Shqipëri 18.1%; Itali 17.3%; Indi 15.7%; Maqedoni 9.1%; Mal të Zi 6.8% dhe Serbi 5.8%.
Ndërsa, përqindja më e madhe e importit është nga Serbia 12.1%; Gjermania 11.3%; Italia 10.5%; Turqia 8.3; Kina 7.6%; si dhe Maqedonia 7.0% etj.
/rtk