SIdlib-Siri (AIP), 6 nëntor -Një reportazh në kampet në Siri dhe Idlib, në kufi me Turqinë, aty ku prej disa kohësh jetojnë refugjatët nga Siria, janë kyresisht gra me fëmijë në krah dhe pleq të kërrusur kanë braktisur shtëpitë drejt kampeve turke në vijën kufitare, që na e përkujton refugjatët kosovar ne vitet e 99-ta në kufijtë me Shqipërinë dhe Maqedninë. “Nuk na duhen ushtarë shqiptarë, na duhet bukë, veshmbathje dhe ilaçe për fëmijët…Ose, na sjellni aeroplan ushtarak, nëse keni, vazhdon me humor shoqëruesi ynë i ULS-së”, thotë komandanti lokal i ULS-së në Idblib për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë”
Vedat MEMEDALIU nga Idlib-Siri
Sirianët: Ushtarë shqiptarë nuk na duhen, i kemi djemt tanë në front.. falemnderit Zoti ju ruajt…por duam bukë, ndihma…
Ahmedi dy vjeç, i ardhur nga Alepo e Sirisë – është njëri nga qindra fëmijët e ikur nga bombat e regjimit të presidentit Bashar al-Assad. I shoqëruar nga gjyshi, ai ka tre muaj që po strehohet në kampin Kerame – rreth 100 kilometra brenda territorit të Sirisë dhe i kufizuar me qytetin turk Kilis. Prindërit e Ahmedit para gjashtë muajve vdiqën nga bombat e ushtrisë siriane. Përkujdesja për 2-vjeçarin tashmë ka mbetur në duart e gjyshit Daud, i cili së bashku me shumë sirianë tjerë, nga Alepo u nisën drejt Turqisë.
Në kampin Kerame, kamp kryesisht me tenda, numri më i madh i refugjatëve janë tepër të vegjël për të kuptuar dhunën që po ndodh. Në këtë kamp afër qytetit sirian Idlib, më shumë se 400 fëmijë jetimë janë strehuar nga organizata joqeveritare për të drejtat dhe liritë e njeriut – IHH, raporton agejncia e lajmeve “Presheva Jonë” Idlib-Siri
Gratë lindin rrugëve …Mbi 30 kampe refugjatës vetëm ne Turqi mbi 600 mijë të dëbuar, që na e kujton kohën e Milloshevicit në Kosovë
Rrugës së pluhurosur për në Idlip, të shoqëruar nga pjesëtarë të Ushtrisë së Lirë të Sirisë, gra me fëmijë në krah dhe pleq të kërrusur kanë braktisur shtëpitë drejt kampeve turke në vijën kufitare. Idlipin me rrethinë e kontrollon Ushtria e Lirë e Sirisë. Luftimet për më shumë se një vit tashmë kanë mbaruar, ndërkohë që i gjithë qyteti është shndërruar në gërmadha. Opozitarët e armatosur thonë se ushtria e Assad-it ka bombarduar çdo cep të qytetit dhe fshatrat për rreth, ndërsa viktimat shkojnë deri në 2000, kryesisht fëmijë, gra e pleq!
“Ata sulmuan Idlibin nga ajri me avionë ushtarak. Katër nga fshatrat e Idlipit dhe një lagje të tërë të qytetit bombat janë zhdukur tërësisht. Sulme mizore, por megjithatë arritëm t’i tërheqim pas një viti luftime”, thotë një komandant lokal i Ushtrisë së Lirë Siriane, që nuk pranoi të identifikohet me emër. Sulmet në këtë pjesë veriore të Sirisë vazhdojnë edhe tani, por me intensitet më të vogël. Ndihmat për civilët arrijnë deri në vijën e fundit të Idlibit, ndërkohë që gjendja më e rëndë humanitare regjistrohet në qytetin e Alepos. Më shumë se gjysmën e qytetit e kontrollon njësiti “Jabhat al-Nusra”, organizatë kjo e lidhur ngushtë me Al-Kaedën.
Në Idlib dhe në vijën kufitare me Turqinë janë ngritur më shumë se 30 kampe-tendash. Rrugës në thellësi të Sirisë, IHH në bashkëpunim me Qeverinë turke, atë të Jordanit dhe shoqata të ndryshme si “Umah” e Britanisë së Madhe, “Kishat e Bashkuara” të Belgjikës dhe Holandës po strehojnë të ikurit aty ku mundet. Shekil, shtetas britanik, thotë se shoqata që drejton ai ka grumbulluar ilaçe dhe furgonë të Ndihmave të Shpejta.
“Ndihmat tona kryesisht janë në ilaçe. Kemi sjellë dhjetëra furgonë të Ndihmave të Shpejta. Refugjatët kanë nevojë edhe për më shumë kujdes mjekësor. Gratë po lindin rrugëve. Ka shumë foshnja të vdekur, ndërsa pjesën më të madhe e ka kapluar epidemia nga uji i helmuar dhe burime tjera ushqimore. Veprojmë vite të tëra si organizatë humanitare, por këso tmerri nuk na ka ndodhur të shohim askund në botë”, tregon shtetasi britanik që po ndihmon në Siri bashkë me shumë organizata tjera humanitare. Ai ankohet për presion të vogël ndërkombëtar ndaj qeverisë së Sirisë, e cila po bllokon kanalet për depërtimin e ndihmave për civilët. “Bota ka mbyllë sytë ndaj masakrës që po bënë qeveria e Asadit. OKB-të nuk janë aspak të zëshme në atë që po ndodhë këtu në Siri! Turp për ato vende që po mbështesin në heshtje vrasjen e popullit sirianë”, thotë i irrituar Shekil.
Për aq kohë sa po zgjat lufta civile në Siri, numri i refugjatëve sirian në Turqi ka arritur në 600 mijë, ndërkohë që mbi 2 milionë gjithsej janë shpërndarë në Liban, Jordan dhe Irak. Refugjatët në Turqi kryesisht janë strehuar në kampe dhe shtëpi në qytetet për rreth vijës kufitare – në Gaziantep, Kilis, Antakya dhe Reyhanli.
Autoritetet turke, të ndihmuara edhe nga organizata të ndryshme humanitare, po ndërtojnë edhe dy kampe të reja brenda qytetit Kilis, ndërsa thonë se kjo bëhet pasi mbarimi i luftës nuk po shihet afër. “Lufta civile nuk ka të mbaruar, jo edhe për pesë vitet e ardhshme. Dashtë Zoti që kohë të më demantojë, por nga ajo që po shohim, konflikti do të zgjasë”, thotë Ismail Osmani, shoqëruesi ynë, njëherësh anëtar i bordit drejtues të IHH-së. Po ndërtojmë kampe-qyteza nga kontejnerë që kanë kushtet maksimale për një jetë të qetë, tregon Osmani. Në Kilis, kampi i qeverisë turke “Elbeyli”, i ndihmuar edhe nga organizata për të drejtat e njeriut, është vlerësuar nga OKB si njëri ndër kampet më të përgatitura në botë për strehim të refugjatëve. I furnizuar me shkollë, çerdhe fëmijësh, spital, dhe sallë sporti…, në këtë kamp jetojnë mbi 100 mijë refugjatë. “Kampi-kontejner ‘Elbeyli’ këtu në Kilis, me 15 mijë kontejnerë, është njëri ndër dhjetëra kampet tjera që po strehojnë mijëra të ikur nga lufta e Sirisë”, thotë Osmani, ndërsa shton se refugjatëve u ofrohet gjithçka brenda kampit, nga ushqimi dhe shkollimi deri te kujdesi shëndetësor.
Siria ka një popullsi prej 22.5 milionë banorësh! Më shumë se gjysma e territorit është përfshirë nga lufta civile. Qytete dhe fshatra të tëra janë shndërruar në gërmadha në vendet ku luftimet vazhdojnë sot e kësaj dite. Jeta ka humbur kuptimin në Alepo, Latakia, Idlibi, Al-Raqah, Hama dhe Homsi, qytete të mëdha ku bombardimet e regjimit të Asadit nuk ndalen për asnjë ditë. Pjesë më e madhe e këtyre qyteteve tashmë ndodhet në duart e opozitës! Edhe njësitet kurde kontrollojnë territore, sidomos në ato pjesë ku edhe banojnë – në Idlib, Azaz, Jarabuluz…
“Nuk arritëm të organizohemi si duhet! Po tentojmë që edhe grupet tjera që veprojnë në Siri, të kemi një komandë të përbashkët. Është vështirë që arrijmë këtë, por me ndihmën e Zotit, do të bashkohemi. Qëllimin e kemi të njëjtë – ta largojmë pushtetin aktual që po masakron popullatën siriane”, thonë përfaqësuesin e ULS-së. Në ULS, komandanti lokal i njësitit në Idlib siguron se asnjë shqiptarë nuk vepron bashkë me ata!
“Gati të gjithë që kanë kapur armët këtu tek ne janë sirianë. Shqiptarët, apo të tjerët nuk na duhen. Kemi mjaft ushtarë që duan kallashnikov, por këto armë nuk na kryejnë shumë punë. Nëse jeni aq humanistë dhe nëse dëshironi ta ndihmoni popullin sirianë, organizohuni dhe na ndihmoni në kampet e të ikurve nga bombardimet. Secili nga ju keni rroba të tepërta në shtëpi. Keni mjek të shumtë, mësues… fëmijët presin ndihmën e dikujt që ka mundësi të zbusin dhimbjet. Na duhen ilaçe, gjithçka që ndihmon civilët të harrojnë tmerret e luftës. Ushtarë sa për ta ushqyer dhe për t’i dhënë një kallashnikov, jo nuk kemi nevojë. Kemi mjaft ushtarë.. Ose, na sjellni aeroplan ushtarak, nëse keni, vazhdon me humor shoqëruesi ynë i ULS-së”, thotë për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë” komandanti i njësitit në Idlib.
“Lufta e Sirisë është luftë e brendshme e popullit sirian. Të rinjtë nga jashtë Sirisë nuk duhet të mendojnë për luftë! Sirianët gjithashtu kanë nevojë për mjek vullnetarë, mësues dhe përkujdesës. Të ikurit e Sirisë kanë nevojë për mbështetjen humanitare tonën, por edhe të Ballkanit, ashtu siç kishin nevojë shqiptarët e Kosovës dhe ata në Bosnjë në kohën e luftërave me regjimit e Millosheviçit”, thotë zëvendëspresidenti i IHH-së, organizatë kjo që u etiketua nga agjencia e lajmeve iraniane “FarNeës” si mbështetëse e Al-Kaedas në Siri që në bashkëpunim me oficerë të CIA-s, rekrutojnë dhe stërvitin shqiptarë për luftë në këtë vend. “Akuzat e këtilla që vijnë nga Irani nuk janë të parat dhe as të fundit, besoj. Dikujt i pengon ajo që jemi në krah të fëmijëve dhe refugjatëve sirianë. Akuza të këtilla kishin edhe në kohën kur vepronin në Kosovë, kur ndihmonin refugjatët shqiptarë nga Kosova me mbi 300 kamionë ndihma. Na akuzuan edhe kur ndihmuam shqiptarët në luftën e Maqedonisë, e më parë, edhe për ndihmat në Bosnjë. Lajmet dhe akuzat e këtilla nuk mund të na ndalin në qëllimin tonë si organizatë – të ndihmojmë nevojtarët gjithandej ku janë”, shpjegon Oruç. Ai, me këtë rast u apelon të gjithë atyre që ngrenë dyshime për punën e IHH-së që të marrin guximin dhe të hyjnë në kampet e refugjatë në Siri dhe të shohin punën e IHH-së!
“Ftojmë të gjithë ata që dëshirojnë, qofshin gazetarë apo humanitarë, të vijnë me ne dhe të hyjmë në kampet e refugjatëve sirianë dhe të shohim se cilat janë aktivitetet tona. Drejt Sirisë nga kufiri i Turqisë për çdo ditë futën 10, 100 e deri në 1000 humanitarë dhe njerëz që dëshirojnë të ndihmojnë refugjatët – fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Vetëm në këtë mënyrë do të binden se çfarë po ndodhë në Siri dhe çfarë pune bënë IHH”, thotë Husein Oruç. “Jemi organizatë humanitare. Do të ndihmojmë në Siri, ashtu sikurse ndihmojmë në Bosnjë, Serbi, Shqipëri, Maqedoni dhe në Kosovë. Ndihmojmë edhe në Afrikë, Perëndim dhe vende tjera të botës. Ky është misioni ynë dhe askush nuk do të na ndalë t’u qëndrojmë afër nevojtarëve”, thotë i bindur zëvendëspresidenti i IHH-së, Husein Oruç.