Thursday, November 7, 2013

MUHAMET MUSTAFA, VITIN E ARDHSHËM, KANDIDAT I LDK'SË PËR KRYETAR TË PRISHTINËS?


Deputeti më i ri i LDK'së, Muhamet Mustafa pritet të jetë kandidat i LDK'së për Kryetar të Prishtinës nëse Partia e Isa Mustafës renditet e para në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Burime të Express brenda LDK'së kanë thënë se udhëheqja e LDK'së i ka premtuar Muhamet Mustafës pozitën e Kryetarit të Prishtinës nëse Isa Mustafa bëhet Kryeministër i Kosovës.

Megjithëkëtë, Muhamet Mustafa e ka thënë se në LDK nuk ka kaluar në këmbim të ndonjë pozite partiake dhe shtetërore.

Ai ka thënë se nuk do të jetë kandidat i LDK'së për Kryetar të Prishtinës edhe nëse i ofrohet një mundësi e tillë.

"Jo", është përgjigjur ai.

"Të gjitha këto janë spekulime", ka shtuar Mustafa, për Express, të enjten.

Sidoqoftë, Mustafa ka thënë se në LDK ka shkuar natyrshëm për shkak të qëndrimeve të njëjta që ka pasur gjatë gjithë mandatit të këtij Parlamenti.

"Kurrë në jetën time s'kam bërë veprime politike në këmbim të pozitave. As nuk kam bërë, as nuk bëj dhe as nuk do të bëjë kurrë. Kam shkuar në LDK për të krijuar masën kritike për të krijuar ndryshime të domosdoshme në shoqëri", ka treguar ai.

Në vitin 2007, Muhamet Mustafa ka qenë i propozuar i AKR'së për Kryetar të Prishtinës, por ai nuk kishte marrë këtë detyrë për shkak të kandidimit të Isa Mustafës.

"Ajo ka qenë një situatë tjetër. 2007'a është diçka krejt tjetër prej 2013'shit. Të gjitha këto janë spekulime", ka thënë ai.

No comments:

Post a Comment