Edi Rama pajton Menduh Thaçin dhe Ali Ahmetin, dy krerët e partive
shqiptare në Maqedoni, respektivisht, Partinë Demokratike Shqiptare dhe
Bashkimin Demokratik për Integrim, të cilët prej vitesh janë në një
kontradiktë antagoniste.
Në orët e para të vizitës së tij në Shkup, Rama është takuar me dy
krerët e faktorit shqiptarëve duke tentuar pajtimin dhe bashkimin e
tyre. Në orën 22.15 të ditës së djeshme, Kryeministri shqiptar shkroi në
rrjetet sociale: “Darkë vëllazërore në Shkup me Ali Ahmetin dhe Menduh
Thaçin”.
Vizita e parë zyrtare e Kryeministrit Edi Rama në Shkupin zyrtar
ndezi dje dhe debatet e ‘vjetra’ mes dy partive shqiptare në Maqedoni,
Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit dhe Partisë Demokratike
Shqiptare të Menduh Thaçi.
Partia e Thaçit në opozitë në Maqedoni që është e njohur si e afërt
me Partinë Socialiste të Edi Ramës gjeti dje rastin që të akuzojë
partitë në pushtet duke përfshirë dhe BDI-në e Ahmetit se nuk kanë marrë
masat e përshtatshme për vizitën zyrtare të Ramës, duke mos zbatuar
protokollin për vizita të tilla, përfshirë dhe mosvendosjen e flamujve
shqiptarë në Shkup.
Ndërkaq BDI si forcë qeverisëse në Maqedoni reagoi ndaj kësaj
deklarate përmes zëdhënësit të qeverisë Muhamed Hoxha. Sipas tij,
PDSH-ja nuk është e informuar siç duhet për sa i përket vizitës së Ramës
dhe se vetëm sot, Kryeministri shqiptar do të nisë takimet zyrtare në
Shkup.
Sipas Hoxhës, protokolli me të gjitha simbolet që e shoqërojnë do të
zbatohet sot. Ndërkaq pala maqedonase dhe ajo shqiptare kanë dhënë shumë
pak informacion në lidhje me këtë vizitë. Sipas medias në Maqedoni, kjo
mungesë informacioni ka qenë për shkak të shmangies së ndonjë incidenti
të mundshëm nga nacionalistët maqedonas, trnamseton tch.
Kjo nisur nga fakti se në vizitën e fundit zyrtare të kryeministrit
maqedonas Nikolla Gruevski në Tiranë, një i ri qëlloi me vezë makinën në
të cilën ai po udhëtonte. Rama pritet të japë në Maqedoni mesazhin e
nevojës së intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe atë të
respektimit të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinjë.
Në mesin e muajit shtator, gjatë një vizite në Tiranë me Presidentin e
Maqedoninë, Gjorgje Ivanov, Rama përdori termin pakica për shqiptarë që
jetojnë në vendin fqinjë dhe kjo solli një lum kritikash kundër tij nga
opozita, por dhe shoqëria civile./Indeksonline/
No comments:
Post a Comment