Tuesday, November 5, 2013

Varfëria, 65-vjeçarja tenton të digjet me benzinë bashkë me nipërit

MALLAKASTER - Një familje prej pesë anëtarësh në fshatin Kremenarë në Mallakastër jeton në kushte tepër të vështira. Disa ditë më parë, 65-vjeçarja Nexhmije Licaj për shkak të kësaj gjendjeje tentoi që së bashku me dy nipërit e saj të digjej me benzinë përpara Prefekturës së Fierit. Kanë qenë punonjësit e Prefekturës dhe policia që kanë bërë të mundur shmangien e këtij veprimi ekstrem. 

Nexhmije Licaj, e përlotur, deklaron se e ka ndërmarrë këtë veprim, pasi nuk duron dot që fëmijët e djalit të saj të vuajnë për bukën e gojës. 

“Nuk durova dot më. Fëmijët thoshin duam bukë, nëna dua 100 lekë, nëna ku ti gjente. Ku ti gjejë nëna e shkretë. Djali është i sëmurë, tim shoq e kam operuar dy herë. Më vajti thika në zemër dhe nuk durova dot më, mora fëmijët dhe benzinë dhe do digjesha.”- shprehet 65-vjeçarja. 

E lodhur nga varfëria e tejskajshme dhe burokracitë shtetërore, 65-vjeçarja deklaron se nëse shteti nuk ndërhyn për ta ndihmuar familjen e saj, do të ndërmarrë sërish një akt ekstrem, pasi nuk shikon tjetër zgjidhje. 

“Në rast se ata nuk bëjnë çmos unë do djeg veten dhe dy fëmijët para prefekturës atje, në mes të Fierit.”- shprehet gruaja. 

Babai i fëmijëve, 32-vjeçari Ermal Licaj shprehet se nuk siguron dot asnjë të ardhur, pasi disa vite më parë ka pësuar një aksident dhe që prej asaj kohe po bën çmos që të paktën të fitojë statusin e invalidit. Por sipas tij, nuk ka mundur ta marrë statusin pasi organet e shërbimit social i kërkojnë para. Ndërkohë ai tregon se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike është braktisur edhe nga bashkëshortja e tij. 

Megjithëse 65-vjeçarja tentoi të vetëdigjej para Prefekturës, nga ky institucion nuk ka patur asnjë reagim apo ndërhyrje për të ndihmuar familjen e varfër. Të vetmit që kanë reaguar kanë qenë disa biznese, që i kanë dhënë familjes Licaj një sasi ushqimesh. 

(er.nu/news24/BalkanWeb)


No comments:

Post a Comment