Sunday, October 27, 2013

Policia serbe në veri të Mitrovicës është ende aktive


Mesi i shtatorit do të duhej të shënonte fundin e strukturave paralele të sigurisë në pjesën veriore të vendit.

Para dy muajsh institucionet kosovare kishin deklaruar se në pjesën veriore ishin mbyllur 11 zyrat e MUP-it (Ministrisë së Brendshme të Serbisë), që funksiononin në këtë pjesë të vendit. Mirëpo, ky veprim nuk ka ndodhur ende. Burime të sigurta brenda Policisë së Kosovës i kanë thënë KTV-së se në pjesën veriore të qytetit janë ende active tri qendra të tilla.

KTV-ja ka arritur të filmojë disa prej pjesëtarëve të MUP-it që janë ende aktivë në veri. Këta vazhdojnë të bëjnë roje çdo ditë, vetëm pak metra larg urës së Ibrit. Por, ky nuk është lokacioni i vetëm ku bëjnë roje strukturat serbe të sigurisë.

Objekti që deri dje shfrytëzohej si komunë paralele, kryetar i të cilës ishte Kërstmir Pantiq, në lagjen e Tre Rrokaqiejve, është shndërruar në selinë kryesore të MUP-it. Para këtij objekti janë të parkuara edhe veturat e tipit “Niva”, të cilat përdoren nga pjesëtarët e MUP-it. Këto vetura, me ngjyrë dhe xhama të zi, shpeshherë patrullojnë nëpër rrugët e veriut, krahas Policisë së Kosovës dhe EULEX-t.

Burimet i kanë thënë KTV-së se vetëm në pjesën veriore të qytetit janë të hapura edhe tri zyra të tjera, në të cilat janë të vendosur punëtorët e MUP-it. (r.m.)/illyria

No comments:

Post a Comment