Mjetet publike të Kosovës janë mjaft të ulëta për të realizuar
projekte të shumta kapitale. Me një buxhet prej mbi 1 miliard euro dhe
vetëm me një shumë rreth 600 milionë euro, sa ndahen për projekte
kapitale, është e pamundur të realizohen projekte të tilla.
Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesve të
biznesit, premtimet që po jepen nga autoritetet e Kosovës për realizmin e
shumë projekteve, janë vetëm premtime që ato i quajnë premtime të
fushatës zgjedhore.
Derisa Kosova, shprehen ata, ende nuk ka një strategji zhvillimore të
bazuar në një koncept afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike, projektet
milionëshe, të cilat premtohen nuk mund të realizohen.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një
prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se mundësitë buxhetore të
Kosovës janë të vogla.
“Është fushatë dhe tash dëgjojmë premtime të ndryshme, dëgjojmë
premtime që nuk mund të realizohen. Por, sikur këto premtime të
realizoheshin, ne do të kishim një zhvillim më të hovshëm ekonomik, do
të kishte më shumë të punësuar, do të kishim eksport më shumë dhe do të
kishim rritje ekonomike”, thekson Shahini.
Mjetet për arkën shtetërore mblidhen nga Administrata Tatimore dhe
Doganat e Kosovës. Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka ndonjë
alternativë tjerë për grumbullimin e të hyrave.
Nga 1 miliard e 586 milionë euro, nga buxheti i këtij viti, 621
milionë euro ishin planifikuar për projekte kapitale, 40 për qind e të
cilave (ose 217 milionë euro) janë dedikuar për projektin e autostradës
Morinë – Merdar. Ndërsa, 30 milionë euro të tjera janë ndarë për
fillimin e autostradës së re Prishtinë - Hani i Elezit.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri vlerëson se
përveç kapaciteteve buxhetore të kufizuara, mungesa e një strategjie
zhvillimore i bën të parealizueshme projektet kapitale, të cilat janë më
se të nevojshme për Kosovën.
“Kosovës i mungon strategjia zhvillimore dhe i mungon një plan
afatgjatë, të paktën afatmesëm, i zhvillimit me prioritetet sektoriale.
Në këtë kuptim, do të duhej të pasonte një veprim tjetër për të ditur se
cilat projekte konkrete do të jenë në vitin e parë, të dytë apo vitin e
tretë dhe të parallogaritet një vlerësim i kostos”, thotë ai.
Për t’i realizuar projektet kapitale që po premtohen, mendon Shatri,
duhet ditur burimet e financimit, pasi që, siç thotë ai, me mjetet
buxhetore që ka Kosova projektet kapitale janë gati të parealizueshme.
“Fondi i mjeteve publike nuk mjafton. Për të bërë një program serioz
duhet pasur marrëveshje me investitorët potencialë, se ku do të
shfrytëzohen ato para, për cilat destinime dhe projektet të jenë së paku
në fazat fillestare të përgatitjes, por ne nuk i kemi ato”, shton
Shatri.
Ndryshe, realizimin e projekteve kapitale, Qeveria e Kosovës e ka
premtuar edhe me Planin për Zhvillim Ekonomik 2011-2014. Sipas këtij
plani, ekzekutivi pati premtuar zhvillimin e infrastrukturës publike,
ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar, autostradës Prishtinë-Hani i
Elezit, zgjerimin e rrugëve nacionale, përmbylljen e procesit të
privatizimit të PTK-së dhe zbatimin e projektit të termocentralit
“Kosova e re”. /Indeksonline/
No comments:
Post a Comment